Site icon Telegrafi

Pacolli tregon shtetet që nuk na kanë njohur, por që votuan për Kosovën në INTERPOL (Video)

Deputeti i AKR-së në Kuvendin e Kosovës, Islam Pacolli ka thënë se ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli nuk duhet të japë dorëheqje, sepse ai i ka sjell suksese të mëdha Kosovës në diplomaci, përfshirë edhe 40 njohje ndërkombëtare.

Pacolli, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në votimin për INTERPOL-in duhet pasur parasysh ndikimin e Rusisë dhe Kinës në shtete të caktuara.

“Në kontinentin e Amerikës Jugore duhet pasur parasysh ndikimin e Rusisë dhe Kinës, që janë superfuqi dhe kanë ende aleatë dhe mund të ndikojnë ekonomikisht te ato shtete”, tha ai.

Deputeti i koalicionit qeveritar ka thënë se megjithatë edhe në votimin e INTERPOL-it ka pasur disa shtete që edhe pse nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, kanë votuar në favor të saj në INTERPOL.

“Shtetet si Bahamas, Kolumbia, Kazakistani, Nigeria, Ruanda edhe pse nuk e kanë njohur Kosovën kanë votuar pro Kosovës. Nga Azia ka shtete si: Uzbekistani, Taxhikistani edhe pse nuk na kanë njohur për shkak të rrethanave të veta, nuk kanë votuar kundër Kosovës, por kanë abstenuar”, tha Pacolli, përcjell Telegrafi.

Pacolli thotë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk është proces i lehtë, sepse po të ishte nuk do të ishte pritur deri tani për t’i marrë meritat.

“Po të ishte lehtë të anëtarësohemi në INTERPOL nuk do të ishte pritur deri tani për t’i lënë meritat Qeverisë Haradinaj”.

Familjari i ministrit të Jashtëm thotë se është një dobësi e përgjithshme që në Kosovë nuk ia njohin meritat Behgjet Pacollit për njohjet që i ka sjellë Kosovës me forcat e veta.

“Janë mbi 40 njohje që i ka sjellë z.Pacolli… Ne e kem një të keqe në përgjithësi që ‘100 pite i gjuajmë për një laknor’, siç thotë populli”, tha deputeti i AKR-së, Islam Pacolli./Telegrafi/

Exit mobile version