Telegrafi

Pacolli thotë se Thaçi po i mashtron shqiptarët e Luginës me idenë e tij për bashkimin me Kosovën

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, sipas deputetes, Thaçi po bën lojëra me shqiptarët e Luginës për bashkimin me Kosovën.

Deputetja Pacolli ka thënë se presidentit Thaçit nuk duhet t’i besohet, sipas deputes Thaçi ka mashtruar edhe më herët qytetarët.

“Kush nuk do ta donte bashkimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës me Kosovën? Por kjo është lojë e ndytë e presidentit. Kjo do t’i futë në lojë edhe shqiptarët e Luginës me gënjeshtrat e tij. Presidentit nuk i besohet. Ai ka mashtruar për liberalizimin e vizave. Nuk mund t’i besojmë një personi që gënjen dhe i ndryshon fjalët sa herë t’i teket”, ka deklaruar Pacolli për televizionin publik të Kosovës.

Ndryshe, presidenti Thaçi muaj më parë ka thënë se do të punojë që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës. Ai ka thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën duhet të ndodhë, dhe që ai nuk do të lejojë assesi shkëmbim territoresh me Serbinë e as opsione të tjera./Telegrafi/