Telegrafi

Pacolli: Tek “Varrezat e Dëshmorëve” po varrosen thuajse të gjithë

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për varrezat e dëshmorëve në lagjen e Muhaxherëve të cilat ‘heshtazi’ janë shndërruar në varreza të qytetarëve të Prishtinës.

Selimi tha se tek parku te “Varrezat e Dëshmorëve”, kanë qenë duke u bërë punime, mirëpo të cilat janë ndërprerë.

Megjithatë, siç pohoi Pacolli, aty nuk  është ndërprerë varrimi i njerëzve të qytetit.

Sipas tij, ky vend është i destinuar që të bëhet një “Park Memorial”.

“Në parkun te ‘Varrezat e Dëshmorëve’ në lagjen e ‘Muhaxherëve’, janë ndërprerë punimet, mirëpo nuk është ndërprerë varrimi i njerëzve të caktuar. Si duket heshtazi po shndërrohet në një varrezë të qytetit. Kam kërkuar një sqarim brenda Komunës dhe destinimi i saj dihet pasi është një ‘Park Memorial’. Destinacioni është i pandryshueshëm, flasim për një ‘Park Memorial’. Po e bëjmë një trajtim të tij se si do ta finalizojmë”, ka thënë Pacolli.

Ai theksoi se Prishtina nuk i ka varrezat e qytetit në gjendje të mirë, dhe për këtë janë duke e parë një mundësi për gjetjen e një parcele, për varrimin e qytetarëve të saj.

“Ne nuk i kemi as varrezat e qytetit në gjendje të duhur, jemi duke kërkuar një parcelë për të bërë projektimin dhe ndarjen e kategorisë në bazë të shoqërisë. Po vdes presidenti ne e varrosim aty, një tjetër atje etj… Po sillemi në bazë të fuqisë që e kemi për momentin. Neve na mungon një parcelë e caktuar në bazë të kategorizimit të shoqërisë tonë. Brenda vitit do ta kemi projektin për varrosjen e qytetarëve tanë, pra varrezat e qytetit. Dëshmorët janë ata që kanë vdekur në vijat e frontit dhe pikë, kjo praktikë e tillë duhet të ndalohet”, u shpreh nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli. /Telegrafi/