Site icon Telegrafi

Pacolli takon ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike: Kosova ka fatin për miqtë që ka dhe për mbështetjen që ata i japin

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar të hënën një takim përshëndetës të fundvitit me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministri, Ramush Haradinaj. Para trupit diplomatik, ministri Pacolli, ka ndërtuar komunikimin e tij rreth 3 fjalëve kyçe: Puna, modestia, mirënjohja, thuhet në njoftimin për media.

“Ndonëse vij nga një karrierë ndërkombëtare biznesi në nivelet më të lartë, e kam zhvilluar këtë mision plot modesti, përunjësi dhe respekt për të tjerët. I kam ofruar pa hezitim Kosovës, profilin tim ndërkombëtar, miqësitë e mia, ndjenjën time të shërbimit kombëtar”, ka potencuar Pacolli.

Ai ka shtuar se zëri i tij, mu për shkak te sukseseve globale, ka mundur ndonjëherë të jetë sfidues, apo arrogant, por kjo kurrë nuk ka ndodhur!! “Nuk mund të isha ndryshe”, ka shtuar ministri Pacolli.

“Në përputhje me edukatën time, me formimin tim njerëzor, gjithmonë kam përdorur urtësinë në politikë”, shtoi ministri. Ai ka thënë se kontributi i kësaj energjie te madhe pozitive është në akte miqësie dhe më shumë miq anembanë botës për Kosovën.

“Jam përpjekur që zëri im diplomatik të mos stonojë në polifoninë tonë të zërave institucionalë të Kosovës që i kanë folur ndonjëherë rrëmujshëm miqve të huaj dhe botës”, ka potencuar ministri Pacolli, duke shtuar se ka qenë detyrë e vështirë, në mes personalitetesh të forta, por këto akte do të mbeten në gjurmë dokumentare.

Zëvendëskryeministri ka kërkuar edhe më tutje mbështetjen e miqve të shumtë që ka Republika e Kosovës në jetësimin e këtyre synimeve. Sipas tij, Kosova ka fatin për miqtë që ka dhe për mbështetjen që ata i japin synimeve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Para trupit diplomatik, ai është zotuar se Republika e Kosovës do t’i përfundoj të gjitha obligimet ndërkombëtare, në mënyrë që të jetë anëtare e plotë e sistemit ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri ka falënderuar ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në këtë vit dhe ka shprehur besimin e vazhdimin të kësaj përkrahje. /Telegrafi/

Exit mobile version