Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, ka reaguar pasi një autobus udhëtarësh, i cili po udhëtonte drejt Kosovës, nga Gjermania, është sulmuar në Serbi.
Ai ka thënë se ky sulm është i papranueshëm, dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojnë urgjentisht.
Madje, Pacolli ka kërkuar që edhe institucionet serbe të reagojnë pas këtij sulmi.
“Sulmi, me mjete të forta, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz, që sot ka ndodhur ndaj një autobusi të një kompanie kosovare, përderisa po kalonte tranzit nëpër teritorin e shtetit fqinj -Serbisë është i papranueshëm dhe duhet të dënohet urgjentisht nga BE-ja, komuniteti ndërkombëtarë dhe vetë Institucionet e rendit dhe Ligjit në Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.
“Institucionet sigurisë të Serbisë duhet të marrin mësim nga profesionalizmi, përkushtimi dhe përgjegjësia e Policisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë shtetasve dhe qytetarëve, që jetojnë në Republikën e Kosovës”, është shprehur Pacolli.