Telegrafi

Pacolli sot nderohet me titullin “Qytetar Nderi i Kukësit”

Sot, në 19 vjetorin e eksodit kosovar në Kukës, ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, i dorë​zohen nga Qarku i Kukësit titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.

Në njoftim thuhet se nderimet jepen për kontributin e mëhershëm të Pacollit në mbështetje të luftës çlirimtare.

“Nderimet jepen për kontributin e mëhershëm të z. Pacolli në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe vizionit për zhvleftësimin e kufijve midis shqiptarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, ka bërë të ditur Bashkia e Kukësit.

Pacolli do të qëndrojë në Kukës, gjatë pjesës së parë të ditës, ku do të marrë dy mirënjohje nga qyteti dhe qarku i Kukës-Has-Tropojë.

Bashkia e Kukësit i akordon, Behgjet Pacolli, titullin “qytetar nderi i Kukësit”,  për iniciativën e tij si President për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.

“Ministri i Jashtëm Pacolli është dekoruar më herët edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë ‘Nder i Kombit’. Ai, është qytetar Nderi i Korçës, Lezhës, dhe ka disa tituj akademikë nga universitete të vendit amë. Gjithashtu, ai ka tituj dhe nderime nga qytete dhe shtete të SHBA-ve, Italisë, Filipineve, Perusë, etj”, bëhet e ditur në njoftimin për media të MPJ-së.

16 prilli është dita kur ky qytet dhe qarku në tërësi përkujton eksodin e kosovarëve 19 vjet më parë, me aktivitete të ndryshëm, ku marrin pjesë qytetarë nga të dy anët e kufirit tashmë të hapur dhe përfaqësues të Institucioneve. /Telegrafi/