Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, ditën e mërkurë ka shënuar një varg aktivitetesh në Drenas dhe Prishtinë.
Sipas një njoftimi të kësaj partie, gjatë qëndrimit të tij në Drenas, ai ka vizituar disa biznese, për të vazhduar pastaj një takim me qytetarët e asaj komune.
“Ai u tha qytetarëve të Drenasit se qeveritë e deritanishme nuk i kanë kryer detyrat e veta dhe për këtë duhet të ndëshkohen nga populli, me ç‘rast mori një përkrahje të gjerë për të punuar në ndryshimin për të mirë të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se Pacolli gjatë takimit premtoi se qysh në dy vitet e para të qeverisjes së AKR-së, çdo familje në Kosovë do të ketë të paktën nga një të punësuar, dhe do të rishikoj gjithë procesin e privatizimit në mënyrë që të funksionalizojë dhe të ndëshkojë privatizimet e këqija.
Po sipas njoftimit, në Drenas, presidentin Pacolli e shoqëroi edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ku premtuan që shumë shpejtë do të hapin degë të fabrikës së kërpudhave edhe në atje.
Ndërsa shtohet më tej se “në Prishtinë, presidenti Pacolli priti në takime të ndara edhe dy grupe të rinjsh nga Peja dhe Vitia, të cilët shprehën përkrahjen e tyre për AKR-në si alternativa e vetme e mbetur për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike, shoqërore dhe politike, duke shtuar se AKR-ja nuk është parti regjionale, por është parti e gjithë Kosovës”.
“Pacolli gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, u shpreh se në Kosovë ka hapësirë për të investuar në çdo lëmi, dhe me planin e AKR-së për investime dhe reforma në çdo fushë do të ketë rritje ekonomike për çdo vit prej 12%. Ai u tha të rinjve se nën qeverisjen e AKR-së, do të formohet edhe fondi i gjeneratave të reja, ku nga ky fond do të financohen idetë kreative për biznes”.
“Ndër të tjera, presidenti Pacolli gjithashtu u tha të rinjve se AKR-ja në dy vitet e para të qeverisjes së saj do të kujdeset që të gjithë juristët e diplomuar që të punësohen për të zgjidhur më shumë se 400 mijë lëndët e grumbulluara në gjykatat e Kosovës, ku ata pastaj do të dalin edhe si kuadro të aftë për gjykatës, prokurorë, avokat, noter, etj”.
“Në mbrëmje Pacolli u takua edhe me këshilltarin e lartë të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës Andrea Burgess dhe me drejtorin e Fondacionit për Ballkanin Charles du Vinage. Ata shprehën interesim për njohjen nga afër të AKR-së, ku në takim presidenti Pacolli ndër të tjera u tha se AKR-ja nuk është e përfshirë në asnjë aferë korruptive, dhe se AKR do të punoj vetëm me njerëz të ndershëm.
Burgess dhe du Vinage i ofruan mbështetje të plotë presidentit Pacolli dhe AKR-së në punën dhe zbatimin e programit të tyre për zhvillimin e vendit, si dhe në reformat e brendshme partiake”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/