Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot para ambasadorëve të shteteve mike do të hapë solemnisht kryesimin e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP dhe do t’i prezantojë prioritetet e vendit tonë gjatë këtij kryesimi.
Republika e Kosovës merr kryesimin e nismës rajonale SEECP është e rëndësishme, pasi kjo po ndodh në të njëjtin vit kur Kosova tashmë ka kryesimin me Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe me Iniciativën Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI).
Ministri Pacolli kohë më parë vlerësoi se SEECP gjatë kryesimit të Kosovës në detyrë do të zhvillohet më tej si një shprehje e solidaritetit dhe përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis tyre dhe shteteve dhe strukturave tjera euroatlantike.
Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania dhe Serbia.
Kryesimi i SEECP është njëvjeçar dhe kryesinë e mëhershme e kishte Bosnja e Hercegovina, në samitin e së cilës nuk mori pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pasi vendi ynë ishte ftuar me fusnotë. /kp/Telegrafi/