Site icon Telegrafi

Pacolli premton lëvizje të lirë në gjashtë muajt e parë të mandatit

Aleanca Kosova e Re bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, ka hapur sot fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme 2017 edhe në Obiliq, ku u prezantua programi i përbashkët qeverisës, kandidati për kryeministër si dhe kandidatet për deputetë nga radhët AKR-së dhe partive të tjera.

Në këtë tubim, ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputetë nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në fjalën e tij para qytetarëve tha se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa është i duhuri.
Ai ju ka bërë thirrje qytetarëve të Obiliqit që me datën 11 qershor të dalin dhe të votojnë.

“Çdo alternativë tjetër është e gabuar. Sikur lokomotiva që ngecë në një vend, as nuk lëvizë as nuk tërhiqet, ashtu ka mbetur Kosova jonë”, ka thënë Presidenti i AKR-së.

Ai ka shtuar se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, mbështetet në vepra dhe punë. “Ne do të krijojmë 80 mije vende të reja pune qysh në vitin e parë të qeverisjes, këtë ne e kemi kalkuluar mirë”, ka shtuar Pacolli, duke thënë se përmes rritjes ekonomike që do të jete 8 deri ne 10%, çdo student i diplomuar do ta ketë punën e sigurt.

“Bukuria e gjithë kësaj është qeverisja e këtij koalicioni, i cili shumë shpejt do t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës edhe lëvizjen e lirë”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Pacolli.

Ndërsa kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, duke e falënderuar masën për përkrahjen e koalicionit të shpresës, tha se ky bashkim i akademikëve, njerëzve të biznesit e njerëzve të suksesit, është garanci për qeverisje të mirë dhe me duar të pastra. Ai ka thënë se me këto kuadro në qeverisje, qytetarët e Kosovës do t’i kenë dyert e hapura në perëndim.

Më pas para qytetarëve u prezantuan edhe kandidatët e koalicionit për deputetë të cilët vijnë nga rajoni i Obiliqit. /Telegrafi/

Exit mobile version