Ministri i Jashtëm në detyrë, Pacolli, ka pranuar sot kopjet e letrave kredenciale të ambasadores së re të Kroacisë, Daniela Barisiç.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim Ambasadoren e re të Kroacisë në Kosovë, Daniela Barisiç, duke i shprehur mirëseardhje në Kosovë.
Në fillim të takimit Pacolli i uroi detyrën e re Ambasadores dhe shprehu pritje të sinqerta se marrëdhëniet e zhvilluara dhe të larta të deritanishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë do të vazhdojnë në të ardhmen me dinamikë të përforcuar.
Në takim të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Pacolli vuri në dukje marrëdhënien bilaterale dhe partneritetin strategjik në mes dy vendeve dhe dy popujve.
Gjatë takimit, Pacolli, i ka konfirmuar vullnetin e Republikës së Kosovës, për thellimin e mëtejmë të raporteve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Edhe Ambasadorja Barisiç nënvizoi se marrëdhëniet shumëdekadeshe të mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet të dyja shteteve dhe raportet e afërta ndërmjet qytetarëve tanë, paraqesin kapital dhe investim të madh në të ardhmen./kp/