Shefi i Diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, duket se e ka shumë më seriozisht se paraardhësit e tij, në lidhje me ndryshimin dhe promovimin e imazhit të vendit në marrëdhënie me jashtë.
Burime të besueshme brenda Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se Pacolli, që nga ditët e para të marrjes së mandatit ka qenë duke punuar intensivisht me një ekip profesional, në lidhje me atë, se si mund të ndryshohet imazhi i Kosovës dhe të promovohen në mënyrën më të mirë vlerat e vendit në fushën e kulturës, trashëgimisë, gjeografisë, turizmit, sportit dhe muzikës.
Të njëjtat burime, njoftojnë se koncepti i përgjithshëm i Planit Pacolli është se ndryshimi i imazhit të vendit nisë fillimisht nga brenda, nëpërmjet angazhimit të ekspertëve të fushave të lartpërmendura dhe më pas pasurimin, furnizimin dhe publikimin informatave, shkrimeve profesionale dhe fotografive të Kosovës në kompanitë gjigante të teknologjisë.
Kjo nismë, e Planit Pacolli thuhet se mbështetet edhe në praktikën më të fundit diplomatike, ku qytetarët, në sajë të mediave sociale nuk janë vetëm konsumatorët e informacionit, por, edhe prodhuesit e tij.
Ajo synon të shkojë përtej mjeteve të “fuqisë së butë dhe të mençur” dhe të orientojë dhe edukojë gjeneratat e reja për ndërtimin e një Kosove të re, ku shoqëria e saj nuk është vetëm konsumuese e informacionit për vendin tonë, por, edhe prodhuese e tij.
“Pak është shumë”, thuhet se është koncepti për të cilin, Pacolli mendon, që me një kontribut dhe angazhim sado të vogël të secilit profesionist apo edhe qytetar kjo mund të ketë vlerë shumë të madhe për imazhin e vendit.
Mësohet, gjithashtu, se Pacolli gjatë javës së ardhshme pritet t’i drejtohet së pari përfaqësuesve të mediave të Kosovë për t’i kërkuar mbështetjen, në ndërtimin e një partneriteti të ri, që ka për synim kryesor arritjen e këtij qëllimi të përbashkët për vendin.