Telegrafi

Pacolli, për ftesën e Grenell: Nuk mund të hidhërojmë miqtë amerikanë dhe evropianë

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se thirrja e negociatorit të Presidentit amerikan Donald Trump, ambasadorit Richard Grenell, dhe ardhja e kryenegociatorit europian Mirsolav Lajçak nesër në Prishtinë, është tregues i qartë se Perëndimi, pa dallim, kërkon ta zgjidhë shpejt problemin e hyrjes së Kosovës në OKB dhe organizatat ndërkombëtare.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se,  “thirrja që negociatori i Presidentit amerikan Trump, ambasadori Grenell i ka bërë palëve të dialogut Kosovë- Serbi; ardhja e kryenegociatorit europian Lajçak nesër në Prishtinë, është tregues i qartë se Perëndimi, pa dallim kërkon ta zgjidhë shpejt problemin e hyrjes së Kosovës në OKB dhe organizatat ndërkombëtare”.

Postimi i plotë i Pacollit:

“Thirrja që negociatori i Presidentit amerikan Trump, ambasadori Grenell i ka bërë palëve të dialogut Kosovë- Serbi; ardhja e kryenegociatorit europian Lajçak nesër në Prishtinë, është tregues i qartë se Perëndimi, pa dallim kërkon ta zgjidhë shpejt problemin e hyrjes së Kosovës në OKB dhe organizatat ndërkombëtare.

Po ne?
Perëndimi ishte bashkë kur na çliroi dhe bashkë duhet të jetë dhe sot. Këtë i thashë dy vjet më parë homologut tim gjerman Heiko Mass në misionin e vendit të tij në OKB: ne besojmë se aksi amerikano gjerman, anglez, francez e Italian, duhet të jetë faktori kryesor për perfundimin e suksesshëm të dialogut Kosovë- Serbi.
Ne duhet t’ i jemi mirënjohës Presidentit Trump që nepermjet angazhimit vendimtar të Ambasadorit Grenell i dha energji të re dialogut dhe shtyu dhe Bashkimin Europian të ishte më aktiv. Ne si Kosovë duhet t’i jemi mirenjohës ketij aksi dhe të heqim dorë nga ëndërrimet se mund të luajmë midis BE dhe SHBA-ve apo midis demokratëve dhe republikanëve në fushatën zgjedhore amerikane. Sot kur Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Rusinë, Kinën, BE-në, Indinë dhe duan të forcojnë marrëdhëniet me SHBA-të, ne kosovarët, s’ mund të hidhërojmë miqtë e sigurt- amerikanët dhe miqtë tanë europianë që ishin bashkë në 1999 dhe na dhanë atdheun”, ka shkruar Pacolli.

I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë. /Telegrafi/