Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në lidhje me lajmet që po qarkullojnë, ku thuhet se Peci ka ndikuar që vëllai i deputetes Fitore Pacolli të përfitojë një grant prej rreth 100 mijë euro.
Në një postim në Facebook, Pacolli i ka bërë thirrje Pecit që të mos shqetësohet për çdo akuzë që i drejtohet, duke e këshilluar se reagimet e shpeshta mund të krijojnë përshtypjen se akuzat janë të vërteta.
Pacolli përmendi një rast të mëparshëm, ku pretendon se Peci e akuzoi atë publikisht si agjent të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.
“Nëse akuzat që janë bërë ndaj teje nuk janë të vërteta, mos reago fare, ashtu siç nuk reagova unë kur ti më quajte publikisht agjent të Putinit dhe Vuçiqit,” ka shkruar Pacolli.
Ai gjithashtu theksoi se qetësia dhe përmbajtja janë shpesh përgjigjja më e fuqishme ndaj kritikave të pabaza.