Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se dialogu që po zhvillohet në Bruksel është në fazën e parë dhe sipas tij, secili ka mundësi të shpreh mendimet e veta, kërkesat e veta.
“Sot palët e dëgjojnë njëra-tjetrën dhe sigurisht problemet do të artikulohen më vonë dhe jo sot”, ka thënë Pacolli, në një prononcim për media nga Brukseli, përcjell Telegrafi.
Ai ka bërë të ditur se Demarkacioni me Serbinë nuk ka qenë gjatë takimit të sotëm me palën serbe, por siç ka shtuar “sigurisht do të jetë një ndër pikat” që do të diskutohet.
Ndërsa sa i përket kompromiseve që pritet të arrihen nga dialogu, Pacolli ka vlerësuar “pala kosovare e ka bërë kompromisin e vetë, me pakon e Ahtisarit”.
Pacolli ka folur edhe rreth deklarimeve të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq rreth tërheqjes së njohjes së Kosovës nga disa shtete.
“Sigurisht nuk duhet të merrem me deklaratat e të tjerëve, ne jemi shumë konstruktiv, jemi duke kërkuar miqësi me botën. Mund të themi me dhjetëra shtete janë në procesin përfundimtar për njohjen e shtetit të Kosovës, është një proces i pandalshëm dhe sigurisht njohjet do të arrijnë. Sa i përket tërheqjes së njohjeve, mund të them se nuk ka pas tërheqje”, ka thënë ndër tjerash Pacolli. /Telegrafi/