Ne kuadër të Fushatës Zgjedhore, Aleanca Kosova e Re bashkë me partnerët e koalicionit nga LDK-LD-Alternativa, ka mbajtur sot një tubim me qytetarë në Shtime, ku është prezantuar plan programi qeverisës i këtij koalicioni.
Me këtë rast Presidenti i Aleanca Kosova e Re Behgjet Pacolli, tha se data 11 qershor ka rëndësi të madhe në dy aspekte, në vënien e themelit për një ardhmëri të fëmijëve të Kosovës dhe në ndarjes nga e keqja.
Duke i falënderuar qytetarët e Shtimes për mikpritje, Pacolli e rinkonfirmoi edhe njëherë mbështetjen për kandidatin për kryeministër Dr.Avdullah Hoti.
Ai tha se Kosova ka nevojë ta përmirësojë imazhin e saj para miqve ndërkombëtar dhe se këtë do ta bëjë vetëm koalicioni LDK-AKR.
”Qeveria jonë do të jetë qeveri që do të punojë për interesat e qytetarëve dhe që do ta përmirësojë imazhin e shkatërruar të Kosovës. Prandaj dilni dhe votoni, sepse nuk ka vend e as mundësi që kjo zhvatje e Kosovës të vazhdojë më tutje”, tha Pacolli ndër të tjera, ai tha se ndyshimi do të fillojë me fitoren e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa.
Në fjalën e tij para qytetarëve të Shtimes, kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Dr Avdullah Hoti, tha se njerëzit e provuar në fushën e politikes, biznesit e shkencës janë bërë bashkë për ta udhëhequr Kosovën. “Ne ju kemi qëndruar pranë në kohërat më të vështira, tash ju garantoj se do jemi bashke edhe në ndërtimin e demokracisë”, ka theksuar Hoti. /Telegrafi/