Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se është i lumtur që Gjykatat në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur për lirimin e Tomor Morinës dhe refuzimin e kërkesës serbe për ekstradim.
Pacolli në një shkrim të bërë në Facebook ka thënë se është mirënjohës ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.
“Unë jam mirënjohës ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për vendimin parimor të marrë në lidhje me këtë çështje dhe bashkëpunimin që kemi pasur për ta zgjidhur atë në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Pacolli në Facebook, transmeton Telegrafi.
Tomor Morina është liruar pasditen e 14 gushtit, me vendim se Serbia nuk i ka plotësuar kërkesat juridike për ekstradimin e tij, me akuzën për krim ndaj njerëzimit në luftën e vitit 1998.
“Jam këtu tek dyert e burgut duke e pritur të del”, tha avokati i Tomor Morinës, Naser Raufi për Telegrafin.
Morinës i hiqet masa e paraburgimit, ndërsa Gjykata Penale e Shkupit i caktoi masë kujdesi./Telegrafi/