Site icon Telegrafi

Pacolli: Mbështetja e shteteve të OBI-t për anëtarësim në INTERPOL është jashtëzakonisht e rëndësishme

Mbështetja e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI-t) dhe e 57 shteteve anëtare të kësaj organizate është jashtëzakonisht e rëndësishme për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në INTERPOL.

Kështu ka thënë kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Yusuf Al Othaimeen, në margjina të shumë takimeve të tjera zyrtare, që po zhvillohen në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

“Organizata për Bashkëpunim Islamik gjithmonë ka mbështetur fuqishëm konsolidimin dhe integrimin e shtetit të Kosovës. Rezolutat e miratuara në të kaluarën nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të kësaj organizate, ku bëjnë thirrje për njohje të shtetit të Kosovës janë dëshmia më e mirë e kësaj mbështetje. Kënaqësi, që ta ritakojë Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-it, z. Yusuf al Othaimeen, pas takimit që e kishim më herët gjatë këtij viti në kryeqytetin e Bangladeshit/Dhaka. E falënderuam për mbështetjen e deritanishme dhe kërkuam që kjo mbështetje të reflektohet edhe në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në INTERPOL”, ka thënë numri dy i Qeverisë, Pacolli, thuhet në një komunikatë, përcjell Telegrafi.

Organizata për Bashkëpunim Islamik ka 57 shtete anëtare, shumica dërmuese e të cilave e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version