Telegrafi

Pacolli: Kosova është partner serioz i Koalicionit Global në luftën kundër terrorizmit

Qeveria në detyrë në mbledhjen e së premtes ka marrë vendim për ndarjen e 250 mijë euro për Koalicionin global kundër terrorizmit, nga fondi i shpenzimeve të paplanifikuara.

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se fondi shtesë i ndarë për Koalicionin Global tregon që Kosova është partner serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koalicionit në luftën kundër terrorizmit dhe DAESH-it (ISIS).

“Ne qëndrojmë së bashku me aleatët tanë amerikanë dhe anëtaret tjerë të Koalicioni Global për të mbrojtur vlerat tona dhe mënyrën tonë të të jetuarit”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Lexo po ashtu Qeveria ndan 250 mijë euro për përkrahjen e Koalicionit global kundër terrorizmit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se Kosova është e rreshtuar përkrah SHBA-së në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

Haradinaj theksoi se implikimi i shtetasve të Kosovës në ISIS ka shkaktuar pasoja dhe siç tha ai ka shtetas të Kosovës të vrarë atje.

Ambasada e Amerikës në Kosovë, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen dhe pjesëmarrjen në koalicionin kundër organizatës terroriste ISIS. /Telegrafi/