Telegrafi

Pacolli kritikon komunën ku vëllai i tij është nënkryetar: Të vendoset flamuri i Kosovës te ‘rrethi’ i Prishtinës

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli , i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës, për ta vendosur flamurin e Kosovës në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës.

Pacolli ka thënë se vendosja e flamurit, është dashur të ndodhë më herë.

“Komuna e Prishtinës duhet patjetër të vendosë flamurin e Kosovës ”të rrethi” i Prishtinës. Kjo është dashur të ndodhë shumë më herët. Kudo që ne shkojmë, na nderojnë me flamurin tonë. Por tani ne duhet së pari të nderojmë veten”, tha Pacolli, përmes një shkrimi në Facebook.

“Këtë javë vendi ynë është nikoqir i shumë mysafirëve që vijnë për rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Lidhur me këtë, ditë më parë, një grup qytetarësh në Facebook kërkuan poashtu që flamuri kombëtar të zëvendësohet me flamurin e Kosovës në ditën e kur Kosova t’i mbushë 10 vjet të shtetësisë, më 17 shkurt.

Duhet kujtuar, partia e Behgjet Pacollit me kandidat vëllain e tij, Selim Pacollin, i ka siguruar edhe një mandat Shpend Ahmetit, të cilin sot po e kritikon. /Telegrafi/