Gazetari britanik Graham Phillips nesër pritet të shpallet person i padëshirueshëm (persona non grata) në Kosovë.
Mësohet se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, që gazetari britanik, Graham Phillips, të shpallet “persona non grata”.
Burime brenda Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se vendimi për ta shpallë “persona non-grata” britanikun nesër pritet që të futet në zbatim, njofton Klan Kosova.
Graham Philips ka bërë disa reportazhe në Kosovë ku konstaton se shteti i ri është rezultat i spastrimit etnik të serbëve.
Ai tallet me pro-amerikanizmin kosovar dhe e paraqet UÇK-në si organizatë terroriste.
Ai madje ka intervistuar edhe qytetarë të cilëve u është prezantuar si gazetar nga Britania.
Graham William Phillips është i vetëshpallur si “gazetar ushtarak britanik”.
Ai u shfaq në skenën ukrainase, duke raportuar për armiqësitë e dobishme për Kremlinin, ndërkaq punon si korrespondent për kanalet televizive ruse RT (Rusia Sot) dhe Zvezda.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pati njoftuar publikisht se gazetarët e TV Zvezda konsiderohen si përfaqësues të forcave të armatosura.
Për të ndalur fushatën e Graham Philips kundër Kosovës dhe ish-UÇK-së, Taulant Binxhia, nga Rinia Kosovare Evropiane, ka kërkuar të bëhet raportimi i llogarisë së tij në Facebook, që ajo më pas të bllokohet. /Telegrafi/