Telegrafi

Pacolli kërkon nga Armenia, njohjen e pasaportave të Kosovës

Në ditën e fundit të takimeve në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, takoi homologun e tij nga Armenia, Eduard Nalbandyan.

“Ne besojmë fuqishëm se njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Armenia do të forconte stabilitetin dhe paqen në rajon dhe do të promovonte perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Pacolli.

Tutje, ai e ka njoftuar bashkëbiseduesin e tij armen se “anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare do të mbetet një ndër prioritetet parësore të politikës së jashtme”, duke i kërkuar mbështetjen e shtetit të Armenisë në lidhje me këtë proces.

Pacolli kërkoi edhe njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës, duke argumentuar se deri më tash 185 shtete e pranojnë pasaportën e vendit tonë dhe se kjo do të lehtësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët, se do të promovonte shkëmbimin ekonomik, akademik dhe turistik. /Telegrafi/