Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg ka kërkuar mbështetjen e parlamentarëve evropianë për përshpejtimin e liberalizimit të vizave, përderisa ka raportuar mbi zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane nga Institucionet e Republikës së Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Gjatë vizitës time në Strasburg, kërkova mbështetjen e përfaqësuesve të Parlamentit Evropian për përshpejtimin e pakushtëzuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, përderisa raportova edhe mbi zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave nga ana e Institucioneve të Republikës së Kosovës për MSA-në”, ka thënë Pacolli.
Sipas kumtesës së MPJ, Pacolli citohet të ketë thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë të drejtën themelore të lëvizjes së lirë, ashtu siç e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të rajonit.
“Çdo trajtim ndryshe ndaj tyre i forcon bindjen për pabarazi dhe shtetas të dorës së dytë, status nga i cili ne kemi vuajtur shumë përgjatë historisë tonë. Është koha e fundit, që ne të lëvizim përpara dhe të ruajmë sentimentin e madh pro-evropian, që eksiton tek populli i Kosovës. Vonesat i ushqejnë dhe i japin shtytje vetëm forcave të errëta. Të veprojmë tash”, ka thënë kryediplomati kosovar.
Marrëdhëniet e tanishme në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, niveli i organizimit të zgjedhjeve të fundit, procesi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, krimet e luftës dhe procesi i pajtimit në rajon dhe zhvillimi ekonomik kanë qenë disa nga temat e tjera, të cilat u diskutuan në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim Kosovë-BE dhe ku merrnin pjesë parlamentarë nga të dyja anët.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, Ministri i Jashtëm takoi edhe Ambasadorët e Misioneve të Përhershme të shteteve mike të Kosovës në Këshillin e Evropës, nga të cilët u sigurua për mbështetje të fuqishme ndaj vendit tonë në procesin e anëtarësimit brenda kësaj Organizate. /Telegrafi/