Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të shtetasit kosovar, Nezir Mehmetajt, nga policia serbe, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm.
Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zyra e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.
Postimi i plotë i Pacollit:
“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.
Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.
Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.
Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka shkruar Pacolli.
Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare Merdare.
Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.
Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’. /Telegrafi/