Site icon Telegrafi

Pacolli: Nuk mund të ndërtohet e ardhmja në Ballkan, duke imponuar vendime politike për qytetarët

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është duke marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poloni.

Ministri Pacolli tha se Ekonomia, Shoqëria Civile dhe Siguria janë të gjitha tema me rëndësi të madhe për Kosovën dhe për rajonin. Sipas diplomatit Pacolli, duke pasur parasysh se natyra e marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor është komplekse, e ndërtuar mbi mosbesimin dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme, integrimi socio-ekonomik bëhet akoma më i vështirë dhe shumë më i pastrukturuar.

“Ne nuk mund të ndërtojmë marrëdhënie bashkëpunuese në Ballkan përderisa e mohojmë të kaluarën dhe prandaj procesi i pajtimit mbetet i bllokuar. Ne nuk e kemi ndërtuar të ardhmen derisa të vendoset paqja për viktimat e së kaluarës”, tha ministri Pacolli para ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Ai potencoi se nuk mund të ndërtohet e ardhmja në Ballkan duke imponuar vendime politike për qytetarët në vende të tjera dhe duke prishur mirëqenien e tyre.

“Kosova nuk dëshiron të kushtëzoj çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet e pazgjidhura, por vazhdon të konsiderojë se bashkëpunimi i bazuar në marrëveshje dhe respektimi i ndërsjellë është rruga për të ecur përpara”, tha ministri duke shtuar se besojmë fuqishëm se e ardhmja e përbashkët në Evropë është e mundur dhe vështirësitë e sotme mund të tejkalohen duke ndërtuar perspektivën e së ardhmes për popullin tonë.

Ministri para të pranishmëve tha se ka folur shumë për procesin e liberalizimit të vizave gjatë shtatë viteve të fundit, që nga fillimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave në vitin 2012. “Megjithatë, unë ende duhet të tregoj se pse Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe rëndësinë e saj – jo vetëm për Kosovën, por edhe për një perspektivë të qëndrueshme evropiane”, tha ministri Pacolli.

Ministri foli edhe për perspektivat dhe vizionin evropian për vitet e ardhshme.

“Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian – Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila është pika e parë për pranimin në Bashkimin Evropian, por megjithatë Kosova mbetet vetëm “Kandidatë i Mundshëm”, tha ai.

Pacolli po ashtu tha se perspektiva evropiane mbetet zgjedhja strategjike për Kosovën./Telegrafi/

 

Exit mobile version