Kandidati për të parin e kryeqytetit, nga radhët e Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Selim Pacolli, në mesin e shumë objektivave që i ka paraqitur për t’i realizuar nëse do ta fitonte Prishtinën, ka theksuar planin për ndryshimin e lokacionit të kampusit universitar.
Ai në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka theksuar se ky projekt është real dhe do të realizohej brenda mandatit katër vjeçar.
“Jam i lidhur emocionalisht më atë pjesë të Prishtinës, dhe kam qenë çdo herë dhe në çdo aktivitet që është organizuar aty, mirëpo ne duhet të shohim një fakt tjetër. Nuk jemi më një provincë, por një shtet serioz, dhe duhet të zhvillohemi. Tash hapësira në objektet aktuale të këtij kampusi ofron një hapësirë prej një metër katror për student dhe ne duam që të kemi hapësira moderne dhe të mëdha universitare”, ka shtuar Pacolli.
Ai ka thënë se ne do ta ndërtojmë kampusin universitar, i cili sipas tij, do të përmbaj 62 hektarë tokë, me komplet një infrastrukturë prej 220 mijë metrash katrorë hapësira të studimit.
“Kjo hapësirë është mbi lagjen Mati. Kemi të bëjmë më një pozitë ku shihet komplet Prishtina”, ka theksuar Pacolli.
Ai më tutje ka thënë se ata e kanë të gatshëm për ndërtimin e projektit për qytetin e ri elitar të Prishtinës, projekt ky i cili do të jetë konkurrent me qytetet e zhvilluar në Evropë dhe do të shtrihet në drejtim të fshatit Sudeskë dhe buzë liqenit të Badovcit. /Telegrafi/