Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, të marrë më 13 maj 2016, e ka shpallur të papranueshme kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit për vlerësimin e kushtetutshmërisë për mos zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës së 7 prillit 2011. Këtë vendim të Kushtetueses Pacolli e konteston dhe e quan kontrovers.
Rezoluta ka të bëjë me ndryshimet e amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët e Kosovës.
Gjykata ka theksuar se parashtruesi i kërkesës, Behgjet Pacolli vetëm ka numëruar dhe ka përshkruar dispozitat kushtetuese, mirëpo nuk ka arritur të arsyetojë se si janë shkelur ato dispozita.
E këtë vendim të Kushtetueses, Behgjet Pacolli e ka quajtur kontrovers.
“Në mënyrë të vazhdueshme organi më i lartë gjyqësor, Gjykata Kushtetuese është duke marrë vendime kontroverse. Kjo është e ditur për gjithë opinionin”, ka thënë Pacolli për Telegrafin.
Ai ka shtuar se kjo gjykatë po legjitimon mashtrimet e PDK-së dhe LDK-së të cilat janë në pushtet.
“Kjo gjykatë legjitimon mashtrimin që udhëheqësit e dy partive më të mëdha ua kanë bërë qytetarëve të vet”, u shpreh Pacolli.
Behgjet Pacolli ishte për rreth një muaj, president i republikës në vitin 2011, por mënyra e zgjedhjes së tij u vlerësua në kundërshtim me Kushtetutën./Telegrafi/