Site icon Telegrafi

Pacolli: Gjithçka është bërë në koordinim me Haradinajn

Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherazi ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka folur për arrestimin e shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Në një intervistë në RTK ai ka thënë se kryeministri Haradinaj ka qenë në dijeni për rastin.

Pacolli thotë se ia ka kujtuar Gjuriqit se i ishte refuzuar kërkesa, “por ai nuk ka dashur ta kuptojë një gjë të tillë”.

“Gjuriqi ka insistuar që të vijë, ka pasur edhe disa telefonata nga zyrtarët serbë të Qeverisë, por Gjuriq ka thënë se: ‘ne do të shkojmë, është vendi ynë, askush nuk na ndalon'”, ka thënë ai.

Duke folur me operacionin e arrestimit Pacolli, thotë se kjo është bërë në koordinim me kryeministrin Haradinaj.

“Nuk kam vepruar vetë, kryeministri ka qenë në dijeni, nuk është bërë asgjë pa koordinim me të”, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë, thotë se ishte Gjuriq, i cili në takimin në veri të Mitrovicës, ku kishte shkuar ilegalisht, kishte ofenduar Kosovën, pak minuta para arrestimit.

“Kanë qenë shumë fyese, ofenduese deklaratat e tij prej asaj sallës në Mitrovicë ku janë takuar ata”, tha ai.

“Nga aty unë vetë kam dëgjuar deklaratat e Gjuriqit ku ai ka ofenduar duke thënë: ‘Ku janë ata bijtë e shqiptarëve që nuk vijnë tani me më arrestuar? A ishin ata që më thoshin se s’mundem me hy në Kosovë?’, e ofendime të tjera”, shpjegoi Pacolli.

Gjuriq u arrestua pasditen e së hënës derisa në orët e mbrëmjes iu dorëzua në Merdare autoriteteve serbe.

Exit mobile version