Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot ka pritur një delegacion të bizneseve amerikane, të cilat kanë shprehur interesim për eksplorimin e ekosistemit të teknologjisë informatike dhe të inovacionit në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësitë tjera të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Biseduam për një sërë temash, ku ua shpjegova potencialin që Kosova ka për zhvillim dhe hapësirën që u ofrohet bizneseve të huaja për investime, si dhe folëm për sistemin e taksave që është shumë i avancuar”, deklaroi Pacolli.
Ai potencoi faktin që Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet në të cilin bizneset ruse dhe kineze nuk kanë arritur të hyjnë, e kjo, sipas tij, i jep avantazh bizneseve perëndimore.
“Po ashtu, u fokusuam tek potenciali njerëzor që Kosova ofron, me një rini të shkolluar dhe të gatshme për tregun e punës, gjë për të cilën delegacioni i bizneseve amerikane e vlerësoi si një element kyç për këdo që dëshiron të investojë në Kosovë”, vijoi kryediplomati kosovar.
Sipas Pacollit, Kosova dita-ditës po merr vëmendjen e bizneseve të huaja si një vend i cili ofron mundësi të pafundme për investime, prandaj institucionet duhet t’i fusim të gjithë mekanizmat në funksion, në mënyrë që këta investitorë t’i konkretizojnë planet e tyre. /Telegrafi/