Telegrafi

Pacolli: Duhet t’i zgjidhim problemet e trashëguara me Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mori pjesë në sesionin plenar të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Varshavë, nën bashkëdrejtimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Jacek Czaputoëicz dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Pacolli në një status në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se në këtë forum ka përmendur nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë pa viza në Bosnje Hercegovinë dhe në Zonën Schengen.

Ndër të tjera Pacolli ka folur edhe për zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

“I nderuar të marrë pjesë në Sesionin Plenar të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Varshavë nën bashkëdrejtimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Polake, Jacek Czaputoëicz dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Maas”.

“Theksova progresin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve me fqinjët tanë, si dhe theksova nevojën që t’i zgjidhim problemet e trashëguara me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën”.

“Gjatë këtij Sesioni, në të cilin po marrin pjesë edhe përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Austrisë, Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim, theksova nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë pa viza në Bosnje Hercegovinë dhe në Zonën Schengen”.

“E vetmja rrugë para për rajonin është komunikimi i lirë dhe i mirë mes qytetarëve tanë, andaj Republika e Kosovës është e përkushtuar që të gjej zgjidhje për të lehtësuar këtë proces”, ka shkruar në Facebook, Behgjet Pacolli. /Telegrafi/