Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, reagon ndaj deklaratës së ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave ka thënë se “sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë”!
“Është, vërtetë, për keqardhje, që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tilla, që nuk i kontribojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perendimor.
Rusia, në vazhdimësi ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës.
Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë – rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzojë këtë rast për t’i ri-kujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese…’.
Në këtë proces edhe shteti, që ai përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë. Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krijimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë” (sic.), thuhet në një njoftim të MPJ-së.