Site icon Telegrafi

Pacolli-Dalipi: Pa koordinim të brendshëm s’do të ketë datë apo agjendë për dialogun

Foto: Ilustrim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi thotë se pa një koordinim të brendshëm nuk do të ketë datë apo agjendë të diskutimit në dialogun me Serbinë.

Në një intervistë për KosovaPress, ajo thotë se në kuadër të rifillimit të dialogut, qeveria e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në tema që e vejnë në pikëpyetje shtetësinë e vendit.

“Ne nuk mund të flasim për agjendë, nuk mund të flasim për datë pa pasur një koordinim të brendshëm fillestar. Ky koordinim do të bëhet në muajt në vijim dhe momentin kur kemi agjendë jemi të gatshëm që të fillojmë dialogun me kushte tona”, deklaroi ajo.

Deputetja e mazhorancës thotë se tashmë Kosova do ketë zë dhe do të jetë palë në dialog, e jo siç thotë të ketë ndodhur në të kaluarën ku është shkuar me kërkesa dha data të të tjerëve.

“Kosova deri më tani ka dhënë jashtëzakonisht shumë, ka bërë koncesione që kanë shkuar në dëm të Kosovës. Ne tani kemi për qëllim Kosovën ta paraqesim si një shtet e cila është e barabartë me Serbinë ku vjen tek diskutimi. Ju e dini që viteve të kaluara Kosova gjithmonë ka qenë si palë e dobët karshi Serbisë. Kemi shkuar me kërkesa dhe me data kur janë caktuar me akterët e tjerë, ne kishim edhe tash një insistim të caktohet një datë, mirëpo edhe ne jemi palë që kemi një zë në dialog. Pra të barabartë me shtetin serb. Ne nuk do të hyjmë në tema që e vejnë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës, tërësinë territoriale, këto janë çështje që nuk duhet të diskutohet. Çështja e pavarësisë së Kosovës dhe vijave kufitare janë përfunduar”, thotë ajo.

Krahas kësaj, Pacolli-Dalipi thotë se Qeveria Kurti ka paraparë edhe ndryshime të duhura në politikën e jashtme të vendit.

“Sa i përket qasjes së politikës së jashtme, ne si Kosovë jemi shumë më ndryshe se partitë e tjera. Ne i qasemi politikës së jashtme tamam si shtet. Jo në mënyrë siç është perceptuar prej qeverive të tjera. Shërbimi i jashtëm i Kosovës do të jetë i Kosovës, i asnjë partie politike dhe asnjë individi. Kjo do të jetë e qartë, përfaqësimi i Kosovës në këto shtete do të jetë në vijën që e ka shteti i Kosovës brenda. Jo të ketë lobime që shkojnë në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka pasur më herët”, thotë ajo.

Pacolli-Dalipi, e cila tashmë udhëheq me Komisionin për mjedis dhe planifikim hapësinor, thotë se prioritet i ekzekutivit do të jetë edhe mbrojtja e aseteve natyrore.

“Zhvillimi i shtetit të Kosovës dhe zhvillimit ekonomik nuk duhet të ndodh në kurriz të asteteve tona natyrore, në kurriz të burimeve tona ujore, tokës tonë bujqësore. Ne do të synojmë zhvillimin duke mbrojtur mjedisin. Diçka që nuk ka ndodhur në qeveritë e kaluara. Ne kemi rastet e hidrocentraleve që janë promovuar si politika mjedisore, ndërsa në anën tjetër ato kanë shkatërruar lumenjtë”, thotë ajo.

Exit mobile version