Site icon Telegrafi

Pacolli, Daçiqit: Shtetësia e Kosovës është diçka e kryer

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli në takimin e përbashkët me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë ka thënë se shtetësia e Kosovës është i diçka e kryer.

Ai i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Ivica Daçiq, se “shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”, transmeton lajmi.net.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Në Sarajevë ka nisur sot takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së madhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian.

Takimi u hap nga nikoqiri, ministri i jashtëm i Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili ja dha pastaj fjalën ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në emër të Bullgarisë, vend që kryeson Bashkimin Europian.

Drejtori i Zgjerimit, Kristian Danielson, në emër të Komisionerit Hahn, ilustroi pritshmëritë e Bashkimit Europian prej vendeve të Ballkanit në reforma dhe në bashkëpunim rajonal.

“Ballkani është bërë prioriteti numër një për Komisionerët Mogherini dhe Hahn dhe gjithë Bashkimin Europian, dhe ju duhet të kapni momentumin e artë”, ju drejtua Drejtoresha për Ballkanin dhe Turqinë në Komision, Angelica Eichhorst, ministrave të Ballkanit.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, bëri thirrje për më shumë realizëm prej Bashkimit Europian, duke i kërkuar më shumë qartësi për afatet, instrumentet, mjetet, në dispozicion të zgjerimit të vendeve të Ballkanit.

Në fillim të fjalës së vet, ministri i jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, pati disa fjalë keqardhjeje për përpjekjet e Bosnjës për të përjashtuar Kosovën nga ky aktivitet.

Duke ju përgjigjur ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili vuri në diskutim pjesëmarrjen e Kosovës në Sofie, në takimin e ardhshëm organizuar nga Bulgaria, Pacolli tha: “shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”.

Më pas, ministri Pacolli foli për implikimet e Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian në veprimtarinë e qeverisë së Kosovës, brenda vendit dhe në marrëdhëniet me rajonin dhe BE-në.

Ministri Pacolli nënvizoi faktin se Strategjia e konfirmoi anëtarësimin e sigurt në të ardhmen e afërt të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, diçka që tashmë u bë e qartë dhe për Serbinë.

“Ne mbetemi të angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian, zbatimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, ashtu si dhe në Dialogun e Lehtësuar prej BE- për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dy palët”, tha ministri Pacolli.

“Po rrisim bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, madje dhe me Greqinë që e mbështet integrimin tonë europian”, vijoi ai.

Duke ju referuar Procesit të Berlinit, iniciativë e Bashkimit Europian për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturor, etj midis vendeve të Ballkanit, shefi i diplomacisë kosovare propozoi krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës dhe Jugut të Serbisë, si një veprim asimetrik, që do të sillte zhvillim ekonomik, do të normalizonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të relativizonte rëndësinë e kufijve.

Duke ju referuar Zonës së Përbashkët Ekonomike në rajon, Pacolli tha se e mirëkuptonte qasjen e Bashkimit Europian që e shihte këtë Zonë si paradhomën e integrimit.

Por, ai vijoi: “si të zgjidhim pabarazitë në trajtimin reciprok? Si ta detyrojmë Bosnjën dhe Serbinë që të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, dhe kapitaleve në gjithë këtë hapësirë? Si ta detyrojmë Serbinë të zhbllokojë funksionimin e linjës së Interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, veprim që e kryen për të ruajtur monopolin në shpërndarjen e energjisë në rajon? Si t’i kapërcejmë pabarazitë e krijuara prej pozicionit gjeografik, duke kompensuar ato vende që nuk kanë kufij me BE-në? Na duhet, gjithashtu dhe një instancë arbitrimi për mosmarrëveshjet mes nesh, jo thjesht mbi bazë dypalëshe apo rajonale”, qartësoi ai pozicionin e Kosovës.

Duke ju referuar lëvizjes së lirë të qytetarëve në rajon dhe drejt BE-së, zoti Pacolli kërkoi liberalizimin e vizave me BE-në, “sepse Kosova nuk mund të bëhet vrima e zezë e Europës”.

Në fund, z. Pacolli ju drejtua homologut të tij boshnjak me shaka: “duhet ta mbyll shpejt fjalimin, sepse qëndrimi im në Bosnjë, është vetëm për dy ditë sipas vizës që më dhatë”.

Ministri i jashtëm Pacolli bëri thirrje që të lehtësohen kontaktet midis qytetarëve boshnjak të Kosovës apo kosovarëve në përgjithësi dhe Bosnjës, në përputhje me frymën e bashkëpunimit rajonal.

Exit mobile version