Telegrafi

Pacolli beson se Komisioni Evropian do të vlerësojë përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, i cili ishte i shoqëruar edhe nga stafi tjetër përcjellës nga Parlamenti Evropian.

Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar Pacolli, fillimisht e ka uruar Parlamentarin Evropian për mandatin e tij, përderisa ka shprehur mirënjohje edhe për punën dhe angazhimin e paraardhëses së tij.

Pacolli gjithashtu e ka njoftuar raportuesin Soltes në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë mbi punën dhe angazhimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit,  Agjendës së Reformave Evropiane si dhe mbi përmbushjen kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të Marrëveshjes mbi Demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni Evropian do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Pacolli.

Në margjina të këtij takimi numri dy i Qeverisë ka shprehur edhe synimin e Republikës së Kosovës, që të aplikojë për statusin e kandidatit në të ardhmen e afërt, ndërkohë që ka bërë thirrje për mbështetjen e Parlamentin Evropian tek shtetet jo-njohëse të BE-së dhe për përkrahje në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare.

Ndërsa, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Soltes, ka vlerësuar progresin e gjithmbarshëm të arritur nga ana e Institucioneve të Kosovës mbi implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit,  Agjendës së Reformave Evropiane si dhe përkushtimin në lidhje me përmbushjen e kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. /Telegrafi/