Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Pacolli ka thënë se sot vendi ynë po përballet me betejën e fundit për të mbrojtur luftën tonë të drejtë, për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor, transmeton Telegrafi.
“Presidenti i Kosoves Hashim Thaçi, e ka udhëhequr Kosovën përmes luftës së saj për pavarësi dhe liri. Ai mbetet ndër figurat më të larta të luftës sonë të drejtë”, ka thënë Pacolli në reagimin e bërë në Facebook.
Më tej, Pacolli ka thënë se beson në pafajësinë e Thaçit.
“Unë besoj në pafajësinë e tij dhe do të mbetem përgjithmonë mbështetës i betejës së tij për të mbrojtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj”, vijon reagimi.
Ndryshe, Gjykata Speciale i ka konfirmuar sot aktakuzën presidentit Hashim Thaçi. Këtë e bëri të ditur vetë Thaçi përmes një konference për media.
Gjatë fjalimit të tij, Thaçi tha se është moment jo i lehtë për të, për familjen e tij dhe për ata që e mbështeten për këto tri dekada.
Pas ngritjes së aktakuzës Thaçi në konferencë për media bëri të ditur po ashtu se ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. /Telegrafi/