Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka folur për eksperiencat e veta në ndërmarrësi, duke u ndalur edhe në detaje por edhe pengesa, të cilat sipas tij e kishin influencuar që të krijonte ide të reja dhe inovative gjatë rrugëtimit për ndërtimin e karrierës së tij.
Duke folur për mënyrat efektive të trajtimit të një veprimtarie, Pacolli është fokusuar në shpjegimin e ekonomisë globale, intensitetin e zhvillimit të saj si dhe hapat konkret që duhet të merren në këtë drejtim.
Pacolli këto komente i ka bërë sot gjatë një debati me studentët e Kolegjit “Fama”.
“Të jesh inovativ është karakteristikë e njerëzve të suksesshëm. Ne duhet të ecim me kohën, sepse ekonomia globale po përshpejtohet, ndërsa ne duhet të jemi në trend”.
Pacolli është zotuar se e ka mundësinë dhe eksperiencën e duhur për ta bërë Kosovën një vend të dashur për të gjithë qytetarët.
“Plani ynë përqendrohet në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Përmes investimeve dhe zhvillimit të kushteve ekonomike, ne do të sigurojmë të hyra buxhetore që do të garantojnë vende të reja të punës”.
Duke ju përgjigjur pyetjeve të shumta të studentëve panelistë të drejtimeve të ndryshme, numri një i AKR-së ka shpjeguar në detaje proceset e krijimit të bizneseve, normat etike që duhet të zbatohen gjatë procesit si dhe aplikimin e korrektësisë gjatë bashkëpunimit me të tjerët.
Pacolli i porositi studentët që mos të i humbin shpresat dhe mos të bien pre e temave ditore politike në Kosovë, por të vazhdojnë të punojnë në krijimin e ideve të reja, duke i inkurajuar që të mos heqin dorë nga dhe planet e tyre, për shkak të pengesave që mund t’i kenë.
“AKR do të investojë në idetë dhe potencialin e të rinjve, ne do t`ju ndihmojmë në implementimin me sukses të ideve tuaja”.