Site icon Telegrafi

Pacolli: AKR-ja, si Partia Liberale Gjermane

Kandidatët e AKR-së për kryetar komunash kanë vizion disa herë më të gjatë sesa mandati për të cilin kërkojnë votën e tyre. Kështu ka thënë i pari i AKR-së Behgjet Pacolli, me rastin e prezantimit të kandidatëve të saj për kryetar komunash për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Pacolli ka folur edhe sa i përket kandidatëve të subjekteve tjera për zgjedhjet lokale, për të cilët ka thënë se u mungon vizioni.

Më tej, Pacolli ka thënë se fatin e qytetarëve e përcaktojnë punët e mira të cilat i mundësojnë qytetarët e Kosovës me votën e tyre.

“Ju me votën tuaj i shërbeni të ardhmes, nuk i shërbeni AKR-së, u shërbeni fëmijëve tuaj, sepse të gjithë duan të ardhme dinjitoze për fëmijët e tyre… Sot është koha e njerëzve vizionarë dhe jo e improvizimeve, dhe nuk është bë një punë e mirë nëse dikush nuk ka ndryshuar një punë që dje ka qenë ndryshe… Jam i bindur se këta kandidatë këtu kanë vizion disa herë më të gjatë sesa mandati për të cilin kërkojnë votën e tyre”, ka thënë Pacolli.

Mes tjerash Pacolli ka krahasuar fatin e subjektit të cilin ai e drejton me atë të Partisë Liberale në Gjermani, me ç’rast ka theksuar se ka ardhur koha që të dyja këto të jenë në parlamentet.

“Është kënaqësi edhe për mua kur e shoh se fati i partisë liberale gjermane është i njëjtë me ne. Kur ata mbetën jashtë parlamentit edhe ne mbetëm jashtë parlamentit dhe tani që ata u kthyen në parlament edhe ne po kthehemi”, tha ai duke shtuar se kanë arritur deri këtu falë punës së palodhshme.

Ndryshe, kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli dhe ai për qytetin e Mitrovicës Agim Bahtiri nuk ishin të pranishëm në këtë ceremoni. /Telegrafi/

Exit mobile version