Pacienti i parë i prekur me coronavirus në Kosovë, Mihill Martini, tashmë i është kthyer normalitetit.
Martini bashkë me gruan tash jetojnë në shtëpinë e tyre në Stubëll të Vitisë.
Disa javë më parë Martini po luftonte me vdekjen si pasojë e infektimit me coronavirus.
Luftën me armikun e padukshëm ai thotë se e fitoi falë besimit në Zot dhe punës së mjekëve.
“Më shumë mendtë i kam pasur te Zoti dhe fëmijët. Edhe mjekimi ka qenë shumë i fortë. Nuk kam besuar që Kosova ka mjekë aq të mirë. Shumë mirë janë kujdesur për ne. Tri-katër ditë kam qenë dobët me shëndet pastaj me ardhjen e gruas u përmirësova”, tregon Martini për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.
77 vjeçari thotë se frikën më të madhe e ka pasur për familjarët e sidomos prej fëmijëve.
“Në klinikë më pas erdhën edhe reja e djali. Aty u frikësova me mendimin se erdha në Kosovë për të mirë e po i farojë të gjithë. Të frikohet njerëzimi nga njeriu ish një ndjesi shumë e keqe. Vdekjen e kemi hak pasi unë edhe vitet i kam dhe s’mund të jetojmë përgjithmonë”.
Ndërsa bashkëshortja e Mihillit, Dorana shprehet e lumtur që familja e saj është shëruar.
“Kemi qenë të mërzitur e të frikësuar. Jam kujdesur për tre fëmijë dhe jam mërzitur shumë. Bashkëshorti për një javë ka qenë mjaft në gjendje të rëndë”, tregon Dorana Martini.
Nga fshati Stubëll ende janë aktive katër raste por kryetari i Vitisë Sokol Haliti ka shpresë se shumë shpejt do të shërohen./Telegrafi/