Site icon Telegrafi

Pacientët vazhdojnë t’i blejnë barnat, s’ka furnizim të mjaftueshëm në spitale

Foto: Arkiv/Ilustrim

Edhe pse kërkojnë trajtim mjekësor në institucionet publike shëndetësore në vend, pacientët kosovarë po vazhdojnë t’i blejnë nga xhepi i tyre barnat dhe materialin shpenzues mjekësor, të cilat do të duhej të bliheshin nga buxheti prej 234 milionë eurove, sa është ndarë për sektorin e shëndetësisë për vitin 2019, shkruan “Zëri”.

Pacientët, derisa janë shprehur të shqetësuar për shpenzimet që po bëjnë, kanë treguar për “Zërin” se së fundmi kanë blerë vetë edhe gjërat më elementare, si fllasterat, injeksionet e fashat.

Ata kanë bërë të ditur se vetë mjekët po i rekomandojnë që t’i blejnë këto produkte në barnatore private, pasi që ka mungesë në spitale.

Disa pacientë kanë treguar se ata është dashur të blejnë vetë edhe disa tretësira, të cilat hidhen në infuzione, në mënyrë që t’ua lehtësojnë dhimbjet që kanë.

Përndryshe, edhe Zyra për Informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e ka pohuar se kanë mungesa sa u përket barnave nga lista esenciale dhe materiali shpenzues.

“Ka ende disa mungesa, për të cilat Shërbimi Farmaceutik në koordinim me farmacistët përgjegjës dhe me Sektorin e Prokurimit kanë iniciuar procedurat dhe pritet që të bëhet furnizimi i rregullt”, ka thënë ajo.

QKUK-ja ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se për shkak të bartjes së buxhetit te Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe për shkak të procedurave kontraktuale ka pasur ngecje sa i përket furnizimit.

“QKUK-ja ju njofton se pas bartjes së buxhetit të barnave dhe materialt shpenzues e citostatikëve te Shërbimi Spitalor dhe Klinik, Universitar i Kosovës, Zyra e Prokurimit ka iniciuar procedurat e prokurimit. Sa i përket furnizimit, për shkak të bartjes së buxhetit dhe kontratave në fillim ka pasur pak ngecje, por tani furnizimi ka filluar të përmirësohet dhe përqindja e furnizimit me shumë artikuj po rritet, pra ka përmirësime të dukshme, meqë ka buxhet dhe janë kryer shumë procedura, janë emëruar menaxherët e kontratave”, ka thënë ajo.

 

Exit mobile version