Telegrafi

Pacientët po presin deri në 9 muaj për një rezonancë magnetike në QKUK

Foto: Ilustrim

Pacientët të cilët kanë nevojë ta bëjnë një rezonancë magnetike të kokës në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës janë të detyruar të presin mbi 9 muaj.

M. K., 57 vjeçare nga Fushë Kosova duhet të presë deri më 4 tetor 2022 që të kryejë një MRI të trurit për shkak se vuan nga skleroza, sëmundje e cila prekë trurin dhe palcën kurrizore.

M. K., e cila nuk ka dashur të flasë para kamerës së Kallxo.com me frikën se mund ta pësojë, ka thënë që një shërbim i tillë në ndonjë klinikë private do t’i kushtojë shumë shtrenjtë.

Drejtori i  Radiologjisë, Bujar Gjikollin, në lidhje me listën e pritjes për rezonancë magnetike është arsyetuar se këto vonesa janë duke u shkaktuar për shkak të numrit të vogël të aparaturave për rezonancë magnetike.

Tutje Gjikolli ka shtuar se aparaturat e rezonancës magnetike mungojnë në Spitalet Regjionale.

“Ku ka kërkesa të shtuara e mundësi të kufizuara atëherë edhe formohet lista e pritjes. Do të vazhdojmë të kërkojmë dhe gjejmë format e punës e bashkë me investime në të ardhmen të zvogëlohet kjo listë. Si menaxhment kemi parashtruar nevojat e klinikës sonë dhe shpresojmë që ato të realizohen. Në ndërkohë, me ardhjen e aparatit të ri të rezonancës magnetike në spitalin e ri për fëmijë, do të kontribuohet në arritjen e këtyre qëllimeve”, ka thënë Gjikolli për Kallxo.com.

Sipas Gjikollit, lista e pritjes për pacientët e hospitalizuar është zero, ndërsa për pacientët emergjent radiografitë ultratingulli, tomografia e kompjuterizuar dhe angiografia me tomografi të kompjuterizuar kryhen bazuar në udhëzimet e specialistëve të mjekësisë emergjente.

“Ne në një periudhë kemi arritur që ta bimë në disa ditë listën e pritjes për pacientët që nuk janë të hospitalizuar, nëse nuk gaboj tash lista është rreth korrikut, është 6-7 muaj d.m.th”,  kishte deklaruar Gjikolli në muajin dhjetor.

Sipas Gjikollit, mungesa e aparaturës në këtë klinikë është duke e vështirësuar ofrimin e shërbimeve më shpejtë për pacientët ambulantor pasi që kjo klinikë ka vetëm dy aparatura.

Shërbimi i rezonancës magnetike bëhet vetëm në Klinikën e Radiologjisë në QKUK por jo edhe në spitalet regjionale në Kosovë.