Telegrafi

Pacientët me trauma në tru, shpesh diagnostikohen gabim

Për më shumë se dy dekada, Rahm Houben ishte diagnostikuar se kishte humbur vetëdijen e reflekset pas një aksidenti me makinë. Në fillim u duk se 46- vjeçari nga Belgjika mund të komunikonte me lëvizje të vogla të gishtërinjve duke prekur një tastierë. Më pas ekspertët thanë se këto lëvizje ishin të pavetëdijshme a të pavullnetshme dhe se Rahm Houben nuk ishte në gjendje për të komunikuar. Por pas një skanimi të trurit, mjekët zbuluan se truri i tij funksiononte normalisht.

Edhe një studim i ri tani tregon se pacientë që kanë pësuar trauma dhe në pamje të jashtme duken se nuk kuptojnë e nuk mund të komunikojnë, janë të vetëdijshëm dhe shpesh diagnostikohen gabim.

Në kuadër të studimit, 54 pacientë të tillë u vendosën në aparate skanimi të trurit dhe iu tha që të imagjinonin pamje të ndryshme; si p.sh. një lojë futbolli, ose duke shëtitur. Në 5 pacientë, pjesë të trurit reaguan menjëherë. Një pacient iu përgjigj saktë pyetjeve nëse po imagjinonte një lojë futbolli ose shëtitje, duke tundur kokën "po" ose "jo"

Profesor Steve Laureys i Universitetit të Liezhit në Belgjikë është një nga autorët e studimit. Ai thotë se komunikimi me pacientë të tillë kërkon pajisje e teknologji të sofistikuar që janë shumë të shtrenjta për t’u përballuar nga sigurimet shëndetësore. Prandaj shtrohet pyetja se mbi çfarë bazash etike e ligjore një pacienti do t’i mohohet dhe një tjetri do t’i ofrohet një shërbim i tillë?

Një tjetër bashkë-autor i studimit, Dr Nikolas Shif i qendrës mjekësore Cornell Weill në Nju Jork, thotë se ky studimi do t’i hapë rrugën diagnostikimit më të saktë të pacientëve me trauma në tru, të pavetëdijshëm në dukje, por që mund të jenë në gjendje të komunikojnë. Dr.Shif thotë se studimi nuk përfshin pacientët që janë me tru të vdekur dhe mbahen gjallë me aparate. Por studimi ofron shpresë për pacientët me tru të dëmtuar të cilët një ditë mund të komunikojnë mendimet e tyre. /VoA/