Site icon Telegrafi

Pacientët me gjymtyrë të thyera detyrohen të ecin nga klinika në klinikë për një rëntgen (Video)

Rrugën me shumë gropa nga Klinika e Ortopedisë e deri në atë të Kirurgjisë, pacientët me thyerje të gjymtyrëve, detyrohen ta përshkojnë sa herë atyre u referohet të bëjnë rëntgen.

Kjo për mungesë të një aparature, e cila një kohë nuk iu përshtatej filmave që klinika kishte në dispozicion, e më pas pësoi defekt, raporton KTV.

Punëtorët shëndetësorë nuk kanë pranuar të prononcohen, por tregojnë se për shkak të bartjes së shtretërve dhe karrocave, po kanë probleme shëndetësore.

Për pacientët dhe përcjellësit e tyre kjo është e mundimshme.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar arsyetohet me mungesë të buxhetit për të rritur cilësinë e shërbimeve.

Ankohet se nuk arrijnë të bëjnë servisimin, e aq më pak blerjen e pajisjeve të reja.Shërbimi Spitalor Klinik Universitar u ankua për mungesë të investimeve dhe të furnizimit me barna nga koha kur Ministria e Shëndetësisë ia mori buxhetin që ta menaxhojë.

Krejt kjo gjendje jo e mirë ra mbi supet e qytetarëve, ndërsa zyrtarë të institucionit parashohin krizë edhe më të madhe në muajt e fundit të vitit.

Exit mobile version