Qytetarët në Kosovë vazhdojnë të hasin në probleme të shumta gjatë marrjes së shërbimeve mjekësore nëpër institucionet shëndetësore, ku mungojnë edhe kushtet elementare.
Në rrjetet sociale së fundmi janë publikuar disa pamje të Qendrës Kryesore Mjekësore Familjare në Malishevë, ku shihen qytetarët me coronavirus duke marrë infuzione në ambientet ku nuk ka ngrohje qendrore, transmeton Telegrafi.
Qytetari nga Malisheva, Bezad Halilaj, është ai që në profilin e tij në Facebook ka publikuar këto pamje, teksa ka kritikuar institucionet shëndetësore.
“Në këto ditë të rënda COVIDI, derisa qytetarët përballen më sfida të shumëfishta, shëndetësore, psikike dhe ekonomike, edhe më të tmerrshme e bën pandërgjegjshmëria institucionale e cila ndodhë në ndonjë vend si ky në QKMF në Malishevë. Në këtë ambient në foto, në temperaturë +3 gradë, pacientët me Covid marrin infuzione pa ngrohje qendrore”, ka shkruar ai sipër fotografive.
Tutje, ai ka thënë se në QKMF në Malishevë po arsyetohen se ngrohjet nuk janë aktivizuar për shkak se ka qenë festë.
“Imagjinoni cili është arsyetimi i disa praktikantëve që në këto kushte përpiqeshin tu dalin në ndihmë pacienteve “ Nuk i kanë aktivizu ngrohjet se është ditë feste, pushim). E përderisa qëndron në këto ambiente, të bie rasti të dëgjosh edhe përgjigje të tjera për qytetarët që trokasin në ato dyer, po i ndajë dy: nuk bëhet sot rentgen dhe nuk ka mjek specialist, ditë pushimi”, vijon reagimi i tij.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 169 raste të reja me coronavirus./Telegrafi/