Site icon Telegrafi

Paçaku ishte promovues i kulturës rome

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës Kujtim Paçaku është varrosur sot me nderime në varrezat e Prizrenit.

Ai ka vdekur dje në moshën 59 vjeçare derisa veprimtaria e tij prej poeti dhe politikani është vlerësuar lart në një mbledhje komemorative që është mbajtur në Prizren.

Kolegu i tij, deputeti Veton Berisha tha se vepra e Kujtimit ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjithë dhe se ai dhe komuniteti rom dhe egjiptian do ta ndjekin rrugën e tij.

“Kujtimin do ta kujtojmë si person shumë intelektual, i butë, dhe dashtë Zoti që ne që jemi prapa të ndjekim rrugën e tij. Kujta është i njiohur për stoicizëm, rezistencë dhe për vendosmërinë e tij për mbrojtje të idealit të tij për atë që është nisur. Unë jam krenar me Kujtën dhe ju të jeni krenar me të. Bashkërisht do të ndjekim rrugën e Kujtës”, tha Berisha.

Një fjalim prekës ka mbajtur djali i të ndjerit Denur Paçaku. Ai ka treguar për kohën sa babai i tij ishte gjallë dhe për sakrificën e tij për t’i shkolluar fëmijët me çdo kusht.

Paçaku tha se ndihet krenar me veprimtarinë e babait të tij.

“Kontributi që ke dhënë dhe puna që ke bërë cdo herë na ka sjellë lumturi në shtëpi dhe ka ngiruitu dinjitetin dhe krenarinë e familjes tonë. Qëndrojmë ballëlartë karshi veprimtarisë tënde të ndritshme”, tha djali i tij Denuri.

Për veprën e Paçakut ka folur edhe aktori nga Prizreni Xhevdet Doda. Ai tha se i ndjeri nuk do të kujtohet vetëm si njeri por si person që ka bërë shumë në promovimin e teatrit dhe kulturës rome në Kosovë.

“Do ta kujtoj Kujtën si poet, nuk do ta kujtoj vetëm si njeri shumë i dashur për të gjithë, por do ta kujtoj edhe për rolin e tij shumë të rëndësishëm në promovimin e teatrit, promovimin e kulturës rome që i ka bërë me shumë përkushtim dhe shumë dashuri”, tha Doda.

Familjen Paçaku e kanë ngushëlluar edhe krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, parti politike, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /KP/

Exit mobile version