Telegrafi

Pa sigurime shëndetësore

Tani pas aprovimit të Ligjit të Punës, punëtorët e kësaj Korporate dhe ata të Aeroportit kërkojnë që jeta e tyre të sigurohet nga punëdhënësit e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK’ut, Izet Mustafa, tha për Express se kërkesa e tyre për sigurime ka qenë që nga viti i kaluar dhe për këtë çështje ai thotë se është diskutuar shumë në mes të bordit dhe menaxhmentit të Korporatës. “Realisht na janë dhënë shpjegime se duhet hulumtuar vetëm kompani të huaja tani për sigurimin e punëtorëve. Krejt kjo është sipas versionit të menaxhmentit të KEK’ut”, ka thënë kryetari Mustafa.

Tani pas miratimit të Ligjit të Punës, ai thotë se presin të bëhet një zgjidhje e shpejtë dhe deri kah muaji qershor shpreson se do të plotësohet kërkesa e tyre. Edhe pse ai thotë se kostoja është shumë e lartë, sipas asaj që iu është thënë. “Kostoja për t’i siguruar 7800 punëtorët e Korporatës kap vlerën e pesë milionë eurove për një vit”, tregon Mustafa.
 

Edhe Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës e ka po të njëjtën kërkesë dhe tani me ardhjen e koncesionarit të ri, ata presin që jeta e tyre të jetë e siguruar. Kryetari i kësaj sindikate, Sylejman Zeneli, tha se në vazhdimësi kanë bërë kërkesë që jeta e punëtorëve të sigurohet sikur në ndërmarrjet tjera publike.

”Ne nuk e dimë se ku ka qenë problemi që nuk është zgjedhur asnjë kompani dhe asnjëherë deri më tash nuk kemi marrë vesh asgjë dhe fatkeqësisht kemi mbetur të pasiguruar”, tha Zeneli. Këtë kërkesë e kanë paraqitur tani edhe te punëdhënësi i ri, Limak De Lion, i cili është koncesionari i ri i ANP’së për 20 vitet e ardhshme. Sipas Zenelit, Kosova është vendi i vetëm në rajon që punëtorët e Aeroportit nuk kanë sigurim shëndetësor.

Aktualisht Ministria e Shëndetësisë është duke bërë punë intensive për përgatitjen e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Grupet punuese janë duke punuar në këtë ligj në mënyrë që baza e reformës të jetë e punuar dhe të dërgohet në Qeveri brenda njëqind ditëve të parë të mandatit të ministrit Ferid Agani në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. /Telegrafi/