Telegrafi

Pa reforma ligjore, nuk ka garancë se nuk do të keqpërdoren pajisjet për përgjim në Maqedoni

Maqedonia pas skandalit të përgjimeve ende nuk ka bërë reformat e nevojshme për krijimin e sistemit efikas, të cilat do të ishin garanci për qytyetarët se Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit nuk do të keqpërdorë mjetet për përgjim.

Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu thotë se Ministria ka përgatitur strategji të cilat garantojnë se nuk do të përgjohet pa vendim të gjykatës, ndërsa drejtorit të DSK-së nuk do të ketë qasje të drejtpërdrejtë për të dhënë urdhër për të përgjuar qytetarët dhe nuk do të kenë qasje në komunikimet e përgjuara.

“Tani për tani ne kemi bërë ndryshime kadrovike në kuadër të DSK-së ka ardhur një staf profesional në personalitetin e tyre kanë atributet e ndershmërisë , ndërgjegjshmërisë dhe profesionalizimit veprimet e tyre janë të pa anshme dhe të bazuara në profesionalizëm”, deklaroi zv.ministri i MPB-së, Agim Nuhiu.

Profesori universitar dhe ish punonjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Trpe Stojanovski thotë se funksioni i sistemit të përgjimeve duhet të rregullohet në bazë të ligjeve dhe bashkëpunimit me partnerët të besueshëm ndërkombëtarë.

“Përgjimet me masa të veçanta , është një pjesë e cila do të duhet të rregullohet që në bazë të ligjeve dhe të kemi reforma cilësore, që është një proces i cili do të zgjasë një kohë të gjatë. Nevojitet edhe bashkëpunim me partnerë cilësorë nga vende që kanë përvojë në këtë drejtim dhe Maqdonisë do i garantonin se do të arrijë rezultate në procesin e reformave dhe ato reforma të jenë efikase”, deklaroi profesori universitar, Trpe Stojanvski.

Maqedonia u përfshi nga afera e përgjimeve në vitin 2015, kur partia e atëhershme opozitare,  LSDM publikonte afera të korrupsionit të ish zyrtarëve qeveritarë, ndërsa njoftonte se ka pasur përgjime masive të qytetarëve, që sipas tyre janë bërë nga ana e DSK-së.

Aktualisht, e vetmja garanci se qytetarët nuk përgjohen është përzgjedhja e një stafi profesional dhe me integritet në këtë drejtori./Telegrafi/