I ftuari në Zonën B të Klan Kosovës, juristi Dastid Pallaska, duke folur për seancën e jashtëzakonshme të 26 shkurtit, ku Hashim Thaçi u zgjodh për president të vendit, ai u shpreh se kjo zgjedhje nuk është e mirë për Kosovën.
“Unë vazhdoj të mendoj se zgjedhja e Thaçit në postin e presidentit nuk është një lajm i mirë për Kosovën; është kurorëzim i përshkallëzimit; degjenerim i situatës politike që e ka paaftësuar që akterët politikë të veprojnë në kuadër të Kushtetutës”, ka thënë ai.
Për çështjet e fundit politike dhe procedurat e zgjedhjes së presidentit, ai ngriti një paralele duke i krahasuar rastin e Thaçit me atë të Pacollit.
“Duhet ta dekonstruktojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli pasi ky vendim është një veprim i aktivizimit të Gjykatës, që nënkupton krijimin e normave që nuk ekzistojnë në Kushtetutë. Absurditeti i parë është çështja e kuorumit, pasi që tash është marrë si e mirëqenë. Në Kushtetutë vetëm në një pikë përmendet kuorumi i Kuvendit dhe është shumica e thjeshtë. Në asnjë vend tjetër nuk përmendet korumi”, ka thënë ai.
Pallaska u shpreh se çka është ngatërruar në rastin e Pacollit.
“Në rastin Pacolli kanë ngatërruar konceptin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, pasi sipas Kushtetutës zgjedhja kryhet nga tri raunde – dy raunde është kërkuar me dy të tretat dhe kjo më qëllim që të kalohet shumica e thjeshtë parlamentare. Mirëpo ligjvënësit duke qenë të vetëdijshëm se kjo shpesh është e paarritshme, kanë thënë që në raundin e tretë, kur vendi rrezikohet nga zgjedhjet, zgjedhja është e mundshme me 61 deputetë”, tha ai, duke shprehur shqetësimin në atë se çfarë ka ndodhur pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që Pacolli është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.
“Gjykata në sqarimin e vendimit të vet ka thënë që Pacolli ka qenë president, pavarësisht që është anuluar. Është kontradiktë e pastër. Gjykata Kushtetuese ka dështuar të përgjigjet me atë se çfarë ndodhi me Pacollin: a e shkarkoi Pacollin Kushtetuesja, a e shkarkoi Kuvendi, a dha dorëheqje? Ai thjeshtë i mori gjërat e veta dhe doli nga zyra dhe kjo e shpalos këtë improvizim dhe arnim të kësaj çështje”, tha ai. /Klan Kosova/