Telegrafi

Pa përfaqësues politik

Sipas gazetës Express, Kosova do të marrë pjesë pa përfaqësues politik, në takimet e kësaj jave ku pritet të vendoset për modalitetet e kryesimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA). Pas dorëheqjes se ministrit Lutfi Zharku nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të gjitha punët lidhur me këtë marrëveshje tani kanë kaluar në nivel drejtorish.

Kjo, edhe me gjithë faktin se këshilltari politik, i caktuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është në gjendje të marrë vendime.

Ndërkohë, kjo pritet të jetë java më e nxehtë për shtetin më të ri, pasi pritet të vendoset rreth kryesimit në këtë marrëveshje. Sipas radhës, kjo e drejtë i takon Kosovës.
“Kosova në këtë moment nuk ka autoritet për të marrë vendime politike”, ka thënë një burim i afërt me këtë proces për gazetën Express.

I njëjti ka saktësuar se kjo po ndodh pikërisht në kohën kur Kosova duhet të dëshmojë se është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë e veta mbi supe për të udhëhequr me CEFTA-n.

Sipas tij, tanimë po rrezikohet edhe skenari i mëparshëm, sipas të cilit shtetet anëtare, duke përfshirë këtu edhe Serbinë, u pajtuan që për vitin 2011 të kryesojë Kosova.

“Është shumë më mirë të kalohet kryesimi te një autoritet tjetër”, thotë ai. /Telegrafi/