Telegrafi

Pa gola në derbin e tensionuar, Prishtina e Ballkani ndajnë pikët në “Fadil Vokrri”

Prishtina dhe Ballkani i kanë ndarët pikët në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 20-të në Ipko Superligën e Kosovës që përfundoi pa gola.

Suharekasit e filluan mjaftë mirë takimin, duke e rrezikuar portën e bardhekaltërve me anë të Maganit, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.

Më pas, ndeshja u ndërpre për pak minutash, shkaku që Plisat ndezën mjete piroteknike, të cilat u larguan më vonë nga sigurimi i stadiumit ‘Fadil Vokrri’.

Armend Dallku në minutën e 28-të u detyrua të bëjë një zëvendësim, pasi Bekteshi nuk mundi të vazhdonte lojën shkaku i lëndimit e në vend të tij u fut Ahmet Haliti.

Dy skuadrat ishin mjaftë të kujdesshme në pjesën e parë, duke lënë gjërat e hapura për pjesën e dytë.

Në 45 minutëshin e dytë, ritmi i lojës ishte më i lartë, derisa Ballkani rrezikoi sërish me anë të Maganit, mirëpo Visar Bekaj e priti gjuajtjen e tij pa problem.

Në minutën e 66-të, Hila bëri një gjuajtje fantastike nga rreth 40 metra, por Ruxhi i Ballkanit nuk u befasua dhe priti gjuajtjen.

Gjyqtari Selim Isufi në minutën e 70-të ndëshkoi trajnerin e Prihstinës, Dallkun dhe atë të Ballkanit, Ismet Munishin me kartonë të verdhë, shkaku që kishin kaluar zonën e tyre.

Prishtina kishte disa shanse të mira në fund, mirëpo nuk ia arritën të thyenin mbrojtjen e mysafirëve.

Pas javës së 20-të, Ballkani vazhdon të jetë lider me 41 pikë, derisa Prishtina është në të katërtin me 38 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në të tretin. /Telegrafi/