Më shumë se tre muaj është vërtet shumë e këtë e kanë parasysh edhe lojtarët dhe trajnerët, por kushtet klimatike dhe infrastruktura tek ne nuk të mundëson opsione tjera.
Sigurisht një pushim kaq i gjatë iu nxjerr punë trajnerëve, të cilët nuk e kanë ndërmend t’i lënë futbollistët të pushojnë shumë, kurse kompensimin e mungesës së ndeshjeve do të mundohen ta bëjnë me stërvitje.
Trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, ka planifikuar vetëm dy javë pushim për lojtarët e tij dhe beson se do të arrijë t’i mbajë në formë të njëjtë, e këtë do ta bëjë edhe Fahredin Duraku i Trepça’89.
“Është shumë pushim i gjatë, por me këto kushte klimatike që kemi ne, nuk ka edhe zgjidhje tjetër. Ne do të mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm që t’i mbajmë lojtarët në formë sidomos në aspektin fizik”, tha Tovërlani për Zërin, i cili për dallim nga shumë skuadra që pushojnë më gjatë, për të dimri është i shkurtër.
“E para ne të mërkurën udhëtojmë për Shqipëri për të marr pjesë në turneun “Pavarësia”, pasi të kthehemi nga atje punojmë deri më 20 dhjetor ku do të kemi vetëm dy javë pushim dhe pastaj t’i kthehemi punës për misionin e pamundur”, shtoi ai për gazetën Tovërlani.
Edhe golashënuesi më i mirë i fazës së parë të Superligës, Astrit Fazliu, thotë se 3 muaj janë shumë dhe do t’i mungojë futbolli, por ai ngushëllimin e vetëm e gjen te përgatitjet.
“Është shumë pushim i gjatë, por ne këtë gjë do të mundohemi ta kompensojmë me ushtrime. Tre javë deri në një muaj maksimumi kemi pushim dhe pastaj fillojmë me përgatitje”, tha futbollisti i Ferizaj, i cili e pranon se një pushim i tillë ndikon në formën e lojtarit. “Tre muaj pa ndeshje ndikon dukshëm në formën e lojtarit, por çfarë të bëjmë, kështu është tek ne”, tha Fazliu për gazetën.
Gjithsesi, arsyetimi se klima është faktori kryesor nuk është i qëndrueshëm, pasi që e njëjta klimë pothuajse është në gjithë Ballkanin, por pushimet përveç në Maqedoni në vendet tjera nuk janë kaq të gjata. Sikur të kishim infrastrukturë më të mirë, atëherë klima nuk do të ishte problem. /Telegrafi/