Prishtina ka luajtur baras me rezultat 0-0 ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 27-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë ishte mjaft e barabartë me të dy ekipet që prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të sulmuar.
Rasti i vetëm në 45 minutëshin e parë i takoi Prishtinës që rrezikoi me Kushtrim Gashin në minutën e parë, por gjuajtjen e tij me kokë e ndali Enea Koliçi.
Në pjesën e dytë Ballkani pati diçka më shumë nga loja, duke rrezikuar në dy raste me sulmuesin Mamadou Danfa.
Danfa doli në rast të mirë shënimi në dy raste, fillimisht në minutën e 64-të pastaj edhe në minutën e 83-të, por i mungoi finalizimi.
Deri në fund nuk pati raste të mira shënimi për ndonjërën prej skuadrave dhe që të dyja u desh të pajtoheshin me nga një pikë.
Ballkani vazhdon si lider i tabelës me 53 pikë të grumbulluara ndërsa Prishtina ka 39 sosh. Therandasit rrezikojnë të humbasin lidershipin nëse Llapi fiton nesër (e diel) ndeshjen ndaj Lirisë./Telegrafi/